Endokrinologji

Endokrinologjia është një degë e Mjekësisë që merret me parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve hormonale. Hormonet janë lëndë kimike që prodhohen në disa gjendra specifike të trupit, të cilat quhen gjendra Endokrine. Ato mund të veprojnë në afërsi të zonës ku prodhohen, ose në distancë prej saj.

Gjendrat endokrine janë:

  • Hipotalami (në tru) që prodhon disa faktorë, të cilët nxisin ose frenojnë prodhimin e gjendrave të tjera endokrine periferike.
  • Hipofiza (në tru), në të cilën prodhohen Hormoni i rritjes (GH), Prolaktina, TSH, ACTH, FSH, LH, Hormoni antidiuretik (HAD-i) dhe Oksitocina.
  • Gjendra Tiroide, në të cilën prodhohen T3 (trijodtironina), T4 (Tiroksina) dhe Kalcitonina.
  • Gjendrat Paratiroide, në të cilat prodhohet hormoni i paratiroides (PTH).
  • Pankreasi, ku prodhohet Insulina dhe Glukagoni.
  • Gjendrat mbiveshkore, ku prodhohen Kortizoli, Aldosteroni, Prekursorët android seksualë (Dehidroepiandrosteroni, Androstenedioni) dhe Katekolaminat.
  • Gjendrat seksuale femërore (vezoret), ku prodhohen hormonet seksuale femërore (Progesteroni dhe Estradioli).
  • Gjendrat seksuale mashkullore, ku prodhohet hormoni seksual mashkullor (Testosteroni).

Për shkak të numrit të madh të gjendrave endokrine dhe efekteve të shumta të tyre në pothuajse të gjitha sistemet dhe organet e trupit, edhe sëmundjet e lidhura me to janë të shumta.

Më konkretisht, Mjeku Endokrinolog merret me trajtimin e:

  1. Tumoreve të hipotalamit dhe hipofizës, të manifestuara me:

–          Prapambetje në rritjen trupore ose rritje e egzagjeruar për moshën, ose ndryshime specifike në fytyrë dhe trup me zmadhim të duarve dhe këmbëve, etj. (tumori i qelizave që prodhojnë hormonin e rritjes, gjatë ose pas periudhës së rritjes);

–          Zmadhim dhe tendosje e gjinjve, e shoqëruar ose jo me rrjedhje të tyre (spontane ose e provokuar), dhimbje koke në zonën e ballit dhe probleme me shikimin (tumori i qelizave që prodhojnë prolaktinën);

–          Urinim të shpeshtë të sasive të mëdha të urinës (deri në 20 litra në 24 orë), e shoqëruar me pirje të sasive të mëdha të ujit (Diabeti Insipid), ose fenomeni i kundërt i tij, me urinim të pakët dhe shtim në peshë nga mbajtja e lëngjeve në organizëm.

  1. Problemeve të peshës trupore (nënpesha ose mbipesha), të lidhura ose jo me çrregullime hormonale.
  2. Diabetin e sheqerit, të tipit 1 dhe 2.
  3. Problemeve të gjendrës tiroide: mungesa ose teprica hormonale, sëmundjet autoimune, noduset, kistet dhe kanceret e tiroides.
  4. Problemeve të gjendrave paratiroide: tumoret beninje ose malinje të saj, që reflektohen me shtim ose pakësim të kalciumit në gjak.  
  5. Problemeve të gjendrave mbiveshkore: nga prodhimi i tepërt ose i mangët i Kortizolit, Aldosteronit, prekursorëve androidë seksualë dhe/ose katekolaminave, që mund të manifestohen me tension tepër të lartë ose tepër të ulët të gjakut, shtim në peshë vetëm në fytyrë dhe në trung, strie me ngjyrë të kuqe, edema në trup, etj.
  6. Problemeve seksuale, të lidhura me çrregullimet e sekretimit të hormoneve seksuale femërore dhe mashkullore, që mund të manifestohen me:

–          Çrregullime të ciklit menstrual

–          Mungesë të libidos (dëshirës për të kryer marrëdhënie seksuale) tek meshkujt dhe femrat

–          Pamundësi për të realizuar shtatzani (Infertilitet) tek meshkujt dhe femrat

–          Shfaqjen e qimeve në fytyrë dhe trup (me aspekt mashkullor) tek femrat

–          Impotencë tek meshkujt

Leave a reply