Sistemi limfatik përbëhet nga nyjet limfatike dhe enët limfatike që kullojnë lëngjet nga indet e trupit tuaj. Lëngjet bartin toksina, qeliza imune dhe produkte të mbeturinave në nyjet limfatike. Enët limfatike ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në trup duke e kthyer lëngun limfatik të filtruar në qarkullimin e gjakut.
Një sistem limfatik që funksionon dobët bën që indet të fryhen me lëngje. Kjo gjendje quhet limfedemë. Zakonisht ajo rezulton në ënjtje në krahët ose këmbët tuaja. Pjesë të tjera të trupit mund të preken gjithashtu.
Ju mund të lindni me një problem limfatik që shkakton limfedemë. Kjo quhet limfedema e trashëguar ose parësore. Limfedema mund të zhvillohet po ashtu nga një ndërlikim i një sëmundjeje tjetër ose dëmtim. Kjo quhet limfedema dytësore. Për shembull, limfedema dytësore është një efekt anësor i zakonshëm i trajtimit të kancerit.
Mosfunksionimi limfatik është një gjendje kronike për shumicën e njerëzve, por ekzisotjnë trajtime të disponueshme për të kufizuar përparimin e kësaj sëmundjeje.
Çfarë e shkakton mosfunksionimin limfatik?
Ka disa shkaqe të ndryshme të mosfunksionimit limfatik primar dhe dytësor.
Limfedema e trashëguar (primare)
Limfedema e trashëguar njihet edhe si limfedema parësore. Është më pak e zakonshme se limfedema dytësore. Ju keni më shumë gjasa të zhvilloni limfedemë parësore nëse atë e ka edhe një anëtar i familjes tuaj.
Sëmundja “Meige” është forma më e zakonshme e limfedemës trashëgimore, që përbën 80 për qind të të gjitha rasteve. Ajo shkaktohet nga një mutacion gjenetik dhe prek këmbët, krahët, fytyrën dhe laringun. Gjithashtu, kjo sëmundje shkakton zverdhje të thonjve tek disa njerëz.
Një lloj tjetër i limfedemës trashëgimore njihet si sëmundja “Milroy”. Ajo mund të bëhet shkak që strukturat që përbëjnë sistemin tuaj limfatik të formohen në mënyrë të gabuar.
Limfedema dytësore
Trajtimi i kancerit të gjirit me mastektomi është një nga shkaqet më të zakonshme të limfedemës dytësore.
Kirurgët shpesh heqin indin limfatik nga poshtë krahut teksa heqin indin kanceroz të gjirit. Lëngjet që rrjedhin nga krahu duhet të kalojnë nëpër sqetull. Nëse nyjet limfatike hiqen nga kjo zonë, limfedema mund të zhvillohet duke shkaktuar ënjtje në krah. Kanceri dhe terapia me rrezatim mund të shkaktojnë gjithashtu zhvillimin e limfedemës.
Cilat janë simptomat e mosfunksionimit limfatik?
Limfedema shkakton ënjtje në krahët ose këmbët tuaja. Gishtat e duarve ose këmbëve mund të mbajnë lëngje dhe të fryhen. Indet e kokës dhe qafës gjithashtu mund të preken. Ënjtja mund të kufizojë aftësinë tuaj për të lëvizur. Ju mund të përjetoni rëndim ose dhimbje të shurdhër në zonën e prekur.
Limfedema gjithashtu mund të çojë në:
- ndryshime të lëkurës
- njolla në lëkurë
- flluska
- rrjedhje të lëngjeve nga lëkura
- infeksione
Në kokë dhe qafë, limfedema mund të ndikojë në shikimin tuaj apo të shkaktojë dhimbje veshi dhe bllokim të hundëve. Gjithashtu, ajo mund të shkaktojë probleme me:
- frymëmarrjen
- gëlltitjen
- të folurit
Njerëzit me mosfunksionim limfatik mund të shfaqin simptoma në fëmijërinë e hershme. Mund të ndodhë gjithashtu që limfedema të zhvillohet me fillimin e pubertetit ose në moshë madhore, madje edhe pas moshës 35 vjeç.
Si trajtohet limfedema?
Qëllimet e trajtimit janë zvogëlimi i ënjtjes dhe ruajtja e gamës së lëvizjes dhe funksionit të zonës së prekur.
Kujdesi në shtëpi
Kompresimi është një trajtim i rëndësishëm për limfedemën. Kompresimi i gjymtyrëve të prekur inkurajon lëngjet limfatike të lëvizin drejt bustit tuaj dhe jashtë krahut ose këmbës në një formë normale qarkullimi.
Mbështjellja e krahut ose këmbës me një fashë elastike ose veshja e një rrobe kompresioni krijon presion të vazhdueshëm në zonën e fryrë. Kjo zvogëlon ënjtjen, tendosjen e lëkurës dhe përmirëson lëvizshmërinë.
Ushtrime fizike
Ushtrimet fizike mund të ndihmojnë me menaxhimin e mosfunksionimit limfatik. Muskujt tuaj tkurren gjatë stërvitjes dhe këto kontraktime ushtrojnë presion mbi enët tuaja limfatike. Kjo ndihmon që lëngu të lëvizë nëpër enët limfatike duke reduktuar ënjtjen.
Procedura mjekësore dhe kirurgjikale
Shpesh rekomandohet terapia gjithëpërfshirëse dekongjestive (CDT) për trajtimin e limfedemës. Kjo terapi përfshin disa komponentë, disa të përmendur tashmë më lart:
- veshje për kompresim
- kujdes për lëkurën
- ushtrime fizike
- masazh drenazhi limfatik
Masazhi i drenazhit limfatik, i njohur gjithashtu si drenazh limfatik manual, është një lloj terapie masazhi që kryhet nga një profesionist i kualifikuar i limfedemës. Masazhimi i indeve lejon që lëngjet limfatike të kullojnë më lirshëm. Sa shpesh nevojitet drenazhi limfatik manual varet nga ashpërsia e limfedemës, vendndodhja e ënjtjes dhe sa lëvizje e zonës së ënjtur është e tolerueshme.
Terapia me lazer e nivelit të ulët për trajtimin e limfedemës që lidhet me kancerin e gjirit është gjithashtu një alternativë.
Rekomandohet që një fizioterapist ose një profesionist tjetër shëndetësor i specializuar për limfedemën të aplikojë këtë trajtim. Studimet kanë treguar se ky trajtim mund të jetë efektiv në reduktimin e ënjtjes, dhimbjes dhe madhësisë së gjymtyrëve.
Liposuksioni mund të jetë efektiv në rastet e fazave më të avancuara të limfedemës kur opsionet e tjera të trajtimit nuk kanë pasur efekt. Megjithatë, pas kësaj procedure, është ende e nevojshme të përdorni rroba kompresuese për të kontrolluar ënjtjen.