Sëmundja Crohn është një lloj i sëmundjes inflamatore të zorrëve (IBD). Nevojiten më shumë kërkime rreth sëmundjes së Crohn. Studiuesit nuk janë të sigurt se si ajo fillon, kush ka më shumë gjasa ta zhvillojë atë, ose si ta menaxhojnë atë më së miri. Pavarësisht përparimeve në lidhje me trajtimet në 3 dekadat e fundit, ende nuk është gjendur një kurë.
Sëmundja e Crohn-it më së shpeshti shfaqet në zorrën e hollë dhe në zorrën e trashë. Ajo mund të prekë çdo pjesë të traktit tuaj gastrointestinal (GI), nga goja në anus. Po ashtu, ajo mund të prekë disa pjesë të traktit gastrointestinal dhe të anashkalojë pjesë të tjera.
Simptomat mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Në raste të rënda, sëmundja mund të çojë në shpërthime dhe komplikime kërcënuese për jetën. Në këtë artikull do të mësoni gjithçka që duhet të dini për sëmundjen e Crohn.
Simptomat e sëmundjes Crohn
Simptomat e sëmundjes Crohn shpesh zhvillohen gradualisht. Disa simptoma gjithashtu mund të përkeqësohen me kalimin e kohës. Edhe pse rrallë, simptomat mund të zhvillohen papritur dhe në mënyrë dramatike. Simptomat më të hershme të sëmundjes Crohn mund të përfshijnë:
- diarre
- ngërçe të barkut
- gjak në jashtëqitjen tuaj
- ethe
- lodhje
- humbje të oreksit
- humbje peshe
- ndjesi sikur zorrët tuaja nuk janë bosh pas jashtëqitjes
Ndonjëherë është e mundur që këto simptoma të ngatërrohen me ato të një problemi tjetër, të tillë si helmimi nga ushqimi ose një alergji. Ju duhet të vizitoni mjekun tuaj nëse ndonjë nga këto simptoma vazhdojnë.
Simptomat mund të bëhen më të rënda teksa sëmundja përparon. Simptomat më shqetësuese mund të përfshijnë:
- një fistulë perianale, e cila shkakton dhimbje dhe kullim pranë anusit tuaj
- ulcerat që mund të shfaqen që nga goja deri në anus
- inflamacion i kyçeve dhe lëkurës
- gulçim ose ulje e aftësisë për t’u ushtruar për shkak të anemisë
Zbulimi dhe diagnoza e hershme mund t’ju ndihmojë të shmangni komplikimet e rënda dhe t’ju lejojë të filloni trajtimin në kohë.
Çfarë e shkakton sëmundjen e Crohn?
Nuk është e qartë se çfarë e shkakton sëmundjen e Crohn. Megjithatë, faktorët e mëposhtëm mund të ndikojnë në shanset tuaja për ta zhvilluar atë:
- sistemi juaj imunitar
- gjenet tuaja
- mjedisi juaj
Sipas një studimi të vitit 2012, disa faktorë mund të ndikojnë në ashpërsinë e simptomave tuaja. Këta faktorë përfshijnë:
- pirja e duhanit
- mosha juaj
- nëse rektumi është i prekur apo jo
- koha prej që kur e keni pasur sëmundjen
Njerëzit me Crohn gjithashtu kanë më shumë gjasa të zhvillojnë infeksione të zorrëve nga bakteret, viruset, parazitët dhe kërpudhat. Kjo mund të ndikojë në ashpërsinë e simptomave dhe të krijojë komplikime.
Sëmundja e Crohn dhe trajtimet e saj mund të ndikojnë gjithashtu në sistemin imunitar, duke i përkeqësuar këto lloj infeksionesh.
Infeksionet kërpudhore janë të zakonshme tek personat me sëmundjen Crohn dhe mund të prekin si mushkëritë ashtu edhe traktin e zorrëve. Është e rëndësishme që këto infeksione të diagnostikohen dhe trajtohen siç duhet për të parandaluar komplikime të mëtejshme.
Diagnostikimi i sëmundjes Crohn
Mjeku juaj mund të përdorë disa lloje testesh për të dhënë një diagnozë:
- Testet e gjakut mund ta ndihmojnë mjekun tuaj të identifikojë disa tregues të problemeve të mundshme, të tilla si anemia dhe inflamacioni.
- Një test i jashtëqitjes mund të ndihmojë në zbulimin e gjakut në traktin gastrointestinal.
- Një endoskopi mund të nevojitet për të marrë një imazh më të mirë të pjesës së brendshme të traktit të sipërm gastrointestinal.
- Mjeku mund të kërkojë një kolonoskopi për të ekzaminuar zorrën e trashë.
- Testet imazherike si skanimet CT dhe skanimet MRI i japin mjekut tuaj më shumë informacion dhe detaje sesa një radiografi normale.
- Mjeku mund të marrë një mostër indi, ose biopsi, gjatë një endoskopie ose kolonoskopie për një ekzaminim më të afërt të indit të traktit tuaj të zorrëve.
Pasi mjeku juaj të ketë përfunduar shqyrtimin e të gjitha testeve të nevojshme dhe të përjashtojë arsyet e tjera të mundshme për simptomat tuaja, ai mund të vendosë për një diagnozë. Po ashtu, ai mund të vazhdojë t’i kërkojë këto teste disa herë të tjera për monitoruar përparimin e sëmundjes.
Trajtimi për sëmundjen e Crohn
Një kurë për sëmundjen e Crohn-it nuk është gjetur ende, por sëmundja mund të menaxhohet. Ekzistojnë një sërë opsionesh trajtimi që mund të zvogëlojnë ashpërsinë dhe shpeshtësinë e simptomave tuaja.
Medikamentet
Për trajtimin e Crohn-it janë në dispozicion disa lloje medikamentesh. Zakonisht përdoren barna antidiarreale dhe anti-inflamatore. Medikamentet ose kombinimi i medikamenteve që ju nevojiten varen nga simptomat tuaja, historia juaj e sëmundjes, ashpërsia e gjendjes suaj dhe mënyra se si i përgjigjeni trajtimit.
Ilaçe anti-inflamatore
Dy llojet kryesore të barnave anti-inflamatore që mjekët përdorin për të trajtuar sëmundjen e Crohn janë 5-aminosalicilatet orale dhe kortikosteroidet. Ilaçet anti-inflamatore janë shpesh barnat e para që merrni për trajtimin e sëmundjes së Crohn. Zakonisht këto barna merren kur keni simptoma të lehta me shpërthime të rralla të sëmundjes. Kortikosteroidet përdoren për simptoma më të rënda, por duhet të merren vetëm për një kohë të shkurtër.
Imunomoduluesit
Një sistem imunitar tepër aktiv shkakton inflamacionin që çon në simptomat e sëmundjes së Crohn. Barnat që ndikojnë në sistemin imunitar, të quajtur imunomodulues, mund të zvogëlojnë përgjigjen inflamatore dhe të kufizojnë reagimin e sistemit tuaj imunitar.
Antibiotikët
Disa mjekë besojnë se antibiotikët mund të ndihmojnë në zvogëlimin e disa prej simptomave të Crohn-it dhe disa nga shkaktarët e mundshëm për të. Për shembull, antibiotikët mund të zvogëlojnë kullimin dhe të shërojnë fistulat, të cilat janë lidhje anormale midis indeve që mund të shkaktojë Crohn.
Terapitë biologjike
Nëse keni sëmundje të rëndë të Crohn, mjeku juaj mund të provojë një nga një sërë terapish biologjike për të trajtuar inflamacionin dhe komplikimet që mund të vijnë nga sëmundja. Barnat biologjike mund të bllokojnë proteina specifike duke shkaktuar inflamacion.
Kirurgjia
Nëse trajtimet më pak invazive dhe ndryshimet e stilit të jetesës nuk përmirësojnë simptomat tuaja, një ndërhyrje kirurgjikale mund të jetë e nevojshme. Disa lloje të operacionit për Crohn përfshijnë heqjen e pjesëve të dëmtuara të traktit tuaj të tretjes dhe rilidhjen e pjesëve të shëndetshme. Procedura të tjera riparojnë indet e dëmtuara ose trajtojnë infeksione të thella.
Dieta
Ushqimi nuk shkakton sëmundjen e Crohn-it, por mund të shkaktojë shpërthime të saj.
Pas diagnostikimit me sëmundjen e Crohn-it, mjeku juaj m,und t’ju sugjerojë të caktoni një takim me një dietolog. Dietologu do t’ju ndihmojë të kuptoni se si ushqimi mund të ndikojë tek simptomat tuaja dhe si dieta juaj mund t’ju ndihmojë t’i menaxhoni ato.
Në fillim, ai mund t’ju kërkojnë të mbani një ditar ushqimor. Ky ditar ushqimor do të shërbejë për të regjistruar çfarë keni ngrënë gjatë ditës dhe si ju ka bërë të ndiheni. Duke përdorur këtë informacion, dietologu do t’ju ndihmojë të krijoni një plan ushqimor. Këto ndryshime dietike duhet t’ju ndihmojnë të përthithni më shumë lëndë ushqyese nga ushqimi që hani, duke kufizuar gjithashtu çdo efekt anësor negativ që mund të shkaktojë ushqimi.