Infeksionet e veshit mund të jenë bakteriale ose virale. Ato mund të shfaqen në veshin tuaj të mesëm, në pjesën pas daulles së veshit, si dhe në veshin e jashtëm dhe të brendshëm. Këto infeksione shpesh pastrohen vetë, por mund të jenë të dhimbshme për shkak të inflamacionit ose grumbullimit të lëngjeve.
Infeksionet e veshit mund të jenë kronike ose akute. Infeksionet akute të veshit janë të dhimbshme, por me kohëzgjatje të shkurtër. Infeksionet kronike të veshit ose nuk pastrohen ose përsëriten shumë herë. Ato mund të shkaktojnë dëmtim të veshit të mesëm dhe të brendshëm, i cili në raste të rrala është i përhershëm. Vazhdoni të lexoni për të mësuar më shumë rreth shkaqeve, simptomave dhe trajtimeve të infeksioneve të veshit.
Cilat janë simptomat e infeksioneve të veshit?
Simptomat më të zakonshme të infeksioneve të veshit përfshijnë:
- dhimbje të lehta ose siklet brenda veshit tuaj
- një ndjenjë e vazhdueshme presioni
- kullimi i lëngjeve të qelbëzuara
- humbje dëgjimi
Këto simptoma mund të jenë të vazhdueshme ose të shfaqen herë pas here. Simptomat mund të shfaqen në njërin ose të dy veshët, por dhimbja është zakonisht më e rëndë në rastin e një infeksioni të dyfishtë të veshit.
Simptomat e infeksionit kronik të veshit mund të jenë më pak të dukshme se ato të infeksioneve akute të veshit.
Simptomat e një infeksioni të veshit tek fëmijët
Së bashku me simptomat e vërejtura tek të rriturit, të tilla si dhimbje dhe qelbëzim, fëmijët e vegjël dhe foshnjat mund të shfaqin shenja të tjera të një infeksioni të veshit, të tilla si:
- fërkim ose tërheqje e veshit të tyre
- ethe
- mungesë reagimi ndaj tingujve të caktuar
- humbje e shpeshtë e ekuilibrit
- dhimbje koke
- shqetësim
- humbje e oreksit
Zakonisht, infeksionet e veshit zgjasin më pak se 3 ditë, por ato mund të vazhdojnë deri në një javë.
Fëmijët më të vegjël se 6 muajsh që kanë ethe ose simptoma të tjera të infeksionit të veshit duhet të shkojnë te mjeku. Kërkoni kujdes mjekësor nëse fëmija juaj ka temperaturë më të lartë se 39°C ose dhimbje të forta veshi.
Nga se shkaktohet një infeksion në vesh?
Infeksionet e veshit shkaktohen nga viruse ose baktere, veçanërisht bakteret Streptococcus pneumoniae ose Haemophilus influenzae. Ato shpesh rezultojnë nga një bllokim i tubave të eustakut, gjë që shkakton grumbullimin e lëngjeve në veshin tuaj të mesëm. Tubat e eustakut janë tuba të vegjël që kalojnë nga secili nga veshët tuaj direkt në pjesën e pasme të fytit.
Shkaqet e bllokimit të tubit të eustakut përfshijnë:
- alergjitë
- ftohjet
- infeksionet e sinuseve
- mukusi i tepërt
- pirja e duhanit
- ndryshimet në presionin e ajrit
Infeksionet e veshit mund të zhvillohen edhe nga adenoidet e infektuara. Adenoidet tuaja janë gjëndra në pjesën e sipërme të gojës pas hundës që ndihmojnë në mbrojtjen e trupit tuaj nga infeksionet. Infeksionet mund të përhapen nga këto gjëndra në skajet e afërta të tubave të eustakut.
Faktorët e rrezikut për infeksionet e veshit
Infeksionet e veshit ndodhin më shpesh tek fëmijët e vegjël, sepse ata kanë tuba të eustakut të shkurtër dhe të ngushtë. Rreth 80 përqind e fëmijëve zhvillojnë një infeksion akut të veshit.
Foshnjat që ushqehen me biberon kanë gjithashtu një incidencë më të lartë të infeksioneve të veshit sesa ato që ushqehen me gji.
Faktorë të tjerë që rrisin rrezikun e zhvillimit të një infeksioni të veshit janë:
- ndryshime në lartësi
- ndryshimet në temperaturë dhe lagështi
- ekspozimi ndaj tymit të cigares
- përdorimi i biberonit tek foshnjet
- peshë të ulët të lindjes
- mungesa e kujdesin shëndetësor të duhur
Komplikimet që mund të sjellin infeksionet e veshëve
Infeksionet e veshëve zakonisht pastrohen pa ndërhyrje, por ato mund të përsëriten. Komplikimet e përmendura më poshtë, edhe pse rrallë, mund të pasojnë një infeksion të veshit duke u kthyer në probleme serioze:
- humbje dëgjimi
- vonesa e të folurit tek fëmijët, e cila është më e zakonshme kur lëngje krijohen në mënyrë kronike në veshin e mesëm
- mastoiditi (një infeksion i kockës mastoidale në kafkë)
- meningjiti (një infeksion bakterial i membranave që mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore)
- këputja e daulles së veshit
Si trajtohen infeksionet e veshit?
Edhe pse shumica e infeksioneve të lehta të veshit pastrohen pa ndërhyrje, trajtimet e mëposhtme mund të jenë të dobishme.
Trajtim në shtëpi
Këto metoda janë efektive në lehtësimin e simptomave të një infeksioni të lehtë të veshit:
- Aplikoni një leckë të ngrohtë në veshin e infektuar.
- Merrni ilaçe pa recetë kundër dhimbjeve të tilla si ibuprofeni.
- Përdorni medikamente pa recetë me pikatore për të lehtësuar dhimbjen.
- Shmangni gjumin në krahun e veshin të prekur.
Trajtim me medikamente
Nëse simptomat tuaja përkeqësohen, konsultohuni me një mjek. Ata mund t’ju japin antibiotikë me recetë nëse infeksioni i veshit tuaj është bakterial ose kronik. Mbani mend se antibiotikët nuk ndihmojnë në trajtimin e infeksioneve virale.
Për sa i përket trajtimit mjekësor tek fëmijët, mjekët shpesh përpiqen të shmangin antibiotikët e tepërt. Mjeku i fëmijës tuaj mund t’ju japë një recetë për antibiotikë nëse simptomat janë të rënda ose nëse ato nuk zgjidhen brenda 2 deri në 3 ditëve.
Kirurgjia
Kirurgjia mund të jetë një opsion trajtimi nëse infeksioni i veshit nuk eliminohet me mjekimet e zakonshme ose nëse shfaqen shumë infeksione gjatë një periudhe të shkurtër.
Zakonisht, disa tubat vendosen në mënyrë kirurgjikale në veshët tuaj për të lejuar që lëngu të rrjedhë jashtë. Këto tuba futen në daullet tuaja të veshit. Mbas disa kohe ato bien dhe vrimat e veshëve shërohen. Në disa raste këto vrima duhet të mbyllen me anë të një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale.
Në rastet e infeksioneve që kanë të bëjnë me adenoidet e zmadhuara, mund të rekomandohet heqja kirurgjikale e adenoideve tuaja.
Kur duhet të kontaktoni një mjek?
Ju rekomandojmë të vizitoni një mjek kur fëmija juaj shfaq simptomat e mëposhtme:
- temperaturë mbi 39°C
- Qelb ose lëngje që rrjedhin nga veshi
- Simptoma që sa vijnë e përkeqësohen
- simptomat që zgjasin më shumë se 2 deri në 3 ditë
- humbje dëgjimi
Për të rriturit, këshillohet të vizitoni një mjek nëse simptomat tuaja zgjasin më shumë se 2 ose 3 ditë, keni dhimbje të forta ose temperaturë.