Çfarë është sindroma metabolike?
Sindroma metabolike është një grup prej pesë faktorësh rreziku, që kur nuk trajtohen, rrisin gjasat e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe goditjes në tru. Mund të quhet gjithashtu sindroma X ose sindroma e rezistencës ndaj insulinës dhe është mjaft e zakonshme sidomos tek personat mbi 50 vjeç.
Pesë faktorët e rrezikut janë:
- presioni i lartë i gjakut, duke përfshirë dhe marrjen e ilaçeve për uljen e tij
- nivele të larta të sheqerit në gjak (rezistenca ndaj insulinës), ose marrja e medikamenteve për të ulur sheqerin në gjak
- dhjam të tepërt rreth belit
- nivele të larta të triglicerideve, ose marrja e ilaçeve për t’i ulur ato
- nivele të ulëta të kolesterolit të mirë ose HDL, ose marrja e medikamenteve për të rregulluar nivelet e ulëta të HDL
Të kesh një nga këta faktorë rreziku nuk do të thotë që ke sindromë metabolike. Megjithatë, këta faktorë të rrisin shanset për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. Nëse keni tre ose më shumë nga këta faktorë atëherë me shumë gjasa do të keni një diagnozë të sindromës metabolike, gjë që rrit rrezikun e komplikimeve shëndetësore, duke përfshirë diabetin e tipit 2.
Cilët janë faktorët e rrezikut të sindromës metabolike?
Faktorët e rrezikut për sindromën metabolike lidhen me obezitetin. Dy faktorët më të rëndësishëm përcaktohen si:
- obeziteti, ose yndyra e tepërt rreth pjesëve të mesme dhe të sipërme të trupit
- rezistenca ndaj insulinës, e cila vështirëson përdorimin e sheqerit nga trupi
Ka faktorë të tjerë që mund të rrisin rrezikun për zhvillimin e sindromës metabolike, të cilat përfshijnë:
- mosha
- histori familjare e sindromës metabolike
- mungesa e aktivitetit fizik
- apnea obstruktive e gjumit, sëmundje kronike të veshkave ose sëmundje të mëlçisë
- diagnostikimi me sindromën e vezores policistike
Cilat janë shenjat dhe simptomat e sindromës metabolike?
Nëse keni sindromën metabolike, mund të mos përjetoni simptoma specifike. Një shenjë që mund të vërehet më lehtë është beli më i madh ose trupi i mbushur në formë molle.
Nëse keni sheqer të lartë në gjak, mund të vëreni simptoma të diabetit, duke përfshirë etje të shtuar, shikim të paqartë, dhimbje koke dhe lodhje.
Nëse keni një nga pesë faktorët e rrezikut të sindromës metabolike, bisedoni me një mjek për të përcaktuar nëse duhet të testoheni për faktorët e tjerë
Cilat janë shkaqet e sindromës metabolike?
Një nga shkaqet e zhvillimit të sindromës metabolike është pesha e tepërt në zonën e barkut, e cila mund të çojë në akumulimin e yndyrës në mëlçi dhe në qelizat e muskujve.
Po ashtu, mund të zhvilloni rezistencë ndaj insulinës. Rezistenca ndaj insulinës do të thotë që qelizat tuaja ndalojnë së reaguari ndaj insulinës në qarkullimin e gjakut. Kjo gjë mund të shkaktojë nivele më të larta të insulinës dhe të sheqerit në gjak. Nëse nivelet e sheqerit në gjak bëhen shumë të larta, mund të zhvilloni diabetin e tipit 2.
Cilat janë ndërlikimet që sjell sindroma metabolike?
Komplikimet që mund të rezultojnë nga sindroma metabolike janë shpesh serioze dhe afatgjata (kronike). Ato përfshijnë:
- forcimi i arterieve (ateroskleroza)
- diabetit
- atak në zemër
- sëmundje të veshkave
- goditje në tru
- sëmundje të mëlçisë
- sëmundje të arterieve periferike
- sëmundje kardiovaskulare
Nëse zhvilloni diabet, mund të jeni në rrezik për komplikime të tjera shëndetësore, që përfshijnë:
- dëmtim të syve (retinopati)
- dëmtim nervor (neuropati)
- sëmundje të veshkave
- amputim i gjymtyrëve
Si trajtohet sindroma metabolike?
Nëse jeni diagnostikuar me sindromë metabolike, qëllimi i trajtimit do të jetë zvogëlimi i rrezikut të zhvillimit të komplikimeve të mëtejshme shëndetësore.
Një mjek mund t’ju sugjerojë:
- një dietë të shëndetshme
- ushtrime të rregullta, duke përfshirë ushtrime aerobike ose stërvitje për rezistencën
- humbje peshe
- mjekim
- reduktimin të rreziqeve të tjera kardiovaskulare, të tilla si lënia e duhanit
Mjeku juaj mund të rekomandojë të humbni rreth 7 për qind të peshës suaj aktuale dhe të bëni të paktën 30 minuta ushtrime të moderuara deri në intensive 5 deri në 7 ditë në javë. Kjo mund të ndihmojë në kthimin e sindromës.
Medikamentet për sindromën metabolike përfshijnë:
- medikamente për rregullimin e insulinës ose uljen e sheqerit në gjak
- medikamente për të ulur presionin e lartë të gjakut
- medikamente për uljen e kolesterolit
- aspirinë me dozë të ulët për të reduktuar rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër
Si mund të parandalohet sindroma metabolike?
Mbajtja e një perimetri të shëndetshëm trupor dhe ruajtja e niveleve të presionit të gjakut dhe kolesterolit reduktojnë rrezikun për zhvillimin e sindromës metabolike. Ushtrimet fizike dhe humbja e peshës mund të ndihmojnë për të ulur rezistencën ndaj insulinës.
Ju mund të zvogëloni rrezikun e zhvillimit të sindromës metabolike duke bërë disa ndryshime të stilit të jetesës.
Dieta. Konsumoni një dietë të shëndetshme që përfshin fruta, perime dhe drithëra. Shmangni ushqimet e përpunuara dhe ato që përmbajnë sheqer dhe karbohidrate të rafinuara.
Pini ujë. Shmangni pijet me sheqer dhe zëvendësojini ato me opsione me zero kalori si uji dhe çaji.
Ushtrime fizike. Aktiviteti i rregullt fizik do të ulë presionin e gjakut, sheqerin në gjak dhe nivelet e kolesterolit.
Flisni me një mjek përpara se të filloni një program ushtrimesh ose të ndryshoni rrënjësisht dietën tuaj. Ata mund t’ju ndihmojnë të gjeni një program që është i përshtatshëm dhe i sigurt për ju.
Ekzaminimet e rregullta fizike mund të ndihmojnë gjithashtu në parandalimin e sindromës metabolike. Një mjek mund të masë presionin tuaj të gjakut dhe të vlerësojë analizat tuaja. Kjo ndihmon në diagnostikimin e sondromës metabolike në fazat e hershme të saj. Trajtimi i menjëhershëm mund të ndihmojë në reduktimin e komplikimeve shëndetësore afatgjata.
Si është vazhdimësia për njerëzit me sindromën metabolike?
Nëse simptomat menaxhohen, njerëzit me sindromën metabolike mund të zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të problemeve serioze shëndetësore si infrakt në zemër ose goditje në tru. Sindroma metabolike mund të minimizohet me humbje peshe ose të përballohet me një kombinim të një diete ushqimore të shëndetshme, stërvitjeje të vazhdueshme dhe medikamenteve.
Megjithëse trajtimi i simptomave do të zvogëlojë komplikimet shëndetësore, shumica e njerëzve me sindromën metabolike kanë një rrezik afatgjatë për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Nëse diagnostikoheni me sindormën metabolike, mjeku juaj mund t’ju monitorojë vazhdimisht për të ndihmuar në parandalimin e problemeve serioze shëndetësore.