Vitiligo është një gjendje e lëkurës që ndodh kur qelizat që janë përgjegjëse për ngjyrën e lëkurës tuaj shkatërrohen. Këto qeliza, të quajtura melanocite, nuk prodhojnë më pigment të lëkurës, ose melaninë, duke bërë që disa zona të lëkurës tuaj të humbasin ngjyrën ose të zbardhen.
Zonat e pigmentit të humbur mund të zhvillohen kudo në trupin tuaj, duke përfshirë:
- zonat e ekspozuara ndaj diellit, si duart, këmbët, krahët dhe fytyra
- brenda gojës ose mukozave të tjera
- vrimat e hundës
- organet gjenitale
- pjesa e pasme e syrit
- pjesë brenda sistemit të dëgjimit të veshit
Flokët tuaj gjithashtu mund të bëhen gri ose të bardha në zonat e prekura. Edhe pse vitiligo mund të prekë shumë pjesë të ndryshme të trupit, ajo nuk është ngjitëse. Një person me vitiligo nuk mund t’ia kalojë atë dikujt tjetër.
Cilat janë simptomat e vitiligos?
Vitiligo mund të shkaktojë disa simptoma, duke përfshirë:
- njolla të bardha në lëkurë
- thinja ose zbardhje të parakohshme të flokëve, vetullave, qimeve të fytyrës ose qerpikëve
- humbje të pigmentit të mukozës, duke përfshirë shtresën e brendshme të hundës dhe buzëve
Një studim i vitit 2016 tregoi se 75 përqind e njerëzve me vitiligo kanë humbje të pigmentit në duar dhe fytyrë. Zona të tjera të zakonshme janë në palosjet e trupit, si lëkura nën krahë dhe rreth ijeve.
Megjithatë, zonat specifike që preken mund të ndryshojnë në varësi të llojit të vitiligos.
Llojet e vitiligos
Llojet e vitiligos përfshijnë:
Vitiligo universale. Ky lloj vitiligo prek shumicën e sipërfaqeve të lëkurës.
Vitiligo segmentale. Njolla të bardha shfaqen në njërën anë të trupit. Shumë herë kjo gjendje vazhdon për një vit apo më shumë, pastaj ndalet. Ajo gjithashtu përparon më ngadalë se vitiligoja e përgjithshme.
Vitiligo e përgjithshme. Njollat e bardha shfaqen në mënyrë simetrike në të dy anët e trupit. Ky është modeli më i zakonshëm i vitiligos dhe mund të prekë qelizat e pigmentit kudo në trup. Shpesh shfaqet dhe zhduket disa herë gjatë jetës së një personi.
Vitiligo fokale. Njollat priren të jenë më të vogla dhe shfaqen vetëm në disa zona të trupit.
Vitiligo akrofaciale. Kjo formë e vitiligos prek kryesisht fytyrën, duart dhe ndonjëherë edhe këmbët.
Çfarë e rrit rrezikun e vitiligos?
Nuk dihet saktësisht se çfarë e shkakton vitiligon. Gjendja nuk duket e trashëguar madje shumë njerëz me vitiligo nuk kanë një histori familjare të çrregullimit. Megjithatë, mendohet se të pasurit e familjarëve me vitiligo ose probleme të tjera me autoimunitetin mund të rrisë rrezikun e shfaqjesë vitiligos. Shumica e studiuesve besojnë se vitiligo është një çrregullim i autoimunitetit duke qenë se trupi juaj po sulmon qelizat tuaja.
Shumë sëmundje autoimune mund të pasohen me vitiligon, duke përfshirë:
- tiroiditi, i shkaktuar nga një tiroide që nuk funksionon siç duhet
- lupus
- psoriasis
- alopecia areata
- diabeti i tipit 1
- anemi pernicioze, e cila është paaftësia për të absorbuar vitaminën B12
- Sëmundja e Addison-it
- artrit rheumatoid
- skleroderma, një çrregullim i indit lidhës të trupit
Disa ekspertë gjithashtu raportojnë se vitiligo mund të shfaqet pas incidenteve si:
- djegie të rënda nga dielli ose prerje
- ekspozimi ndaj toksinave dhe kimikateve
- nivele të larta stresi
Cilat janë ndërlikimet që mund të vijnë nga vitiligo?
Shumë herë vitiligo ka pak efekte fizike në trup. Komplikimet më serioze janë te veshët dhe sytë, por këto nuk janë të zakonshme.
Efekti kryesor fizik është fakti se humbja e pigmentit rrit rrezikun e djegies nga dielli. Ju mund ta mbroni lëkurën tuaj duke aplikuar krem kundër diellit me një faktor mbrojtës nga dielli (SPF) prej 30 ose më të lartë dhe duke veshur veshje mbrojtëse nga dielli.
Efektet psikologjike
Studimet tregojnë se vitiligo mund të shkaktojë efekte të rëndësishme psikologjike. Sipas një anketimi të vitit 2016, mbi 50 për qind i njerëzve me vitiligo raportuan efekte negative në marrëdhëniet e tyre.
Ata gjithashtu raportuan:
- tendencën për t’iu shmangur aktiviteteve fizike
- sjellje më të tërhequr
- ndjesi sikur gjendja e tyre është një shpërfytyrim
- depresion
- ankth
- barrë emocionale
Nëse keni vitiligo dhe po përjetoni ndonjë nga këto efekte negative, bisedoni me mjekun tuaj ose dikë që kujdeset për ju. Është gjithashtu e rëndësishme të mësoni sa më shumë që të mundeni rreth çrregullimit. Kjo mund të ndihmojë në zvogëlimin e stresit që po përjetoni dhe në zbuimin e opsioneve të trajtimit.
Cilat janë trajtimet e disponueshme?
Trajtimet për vitiligo synojnë të rivendosin ekuilibrin e ngjyrave në lëkurën tuaj. Disa trajtime synojnë shtimin e pigmentit, ndërsa të tjerat e heqin atë. Trajtimet që mund t’ju ofrohen varen nga:
- ashpërsia e gjendjes suaj
- vendndodhja dhe madhësia e njollave tuaja
- sa njolla keni
- sa të përhapura janë njollat
- si i përgjigjeni trajtimit
Për vitiligo, ju mund të merrni medikamente ose të kryeni trajtime kirurgjikale. Megjithatë, jo të gjitha trajtimet funksionojnë për të gjithë dhe disa prej tyre mund të shkaktojnë efekte anësore të padëshiruara.
Gjithmonë kontaktoni mjekun tuaj nëse filloni të përjetoni efekte anësore për shkak të një trajtimi. Ata mund t’ju rregullojnë dozën ose t’ju ofrojnë alternativa të tjera më t ëpërshtatshme për ju.
Medikamente për vitiligo
Zakonisht do t’ju duhen të paktën 3 muaj trajtim përpara se të shihni rezultate. Trajtimet dhe medikamentet mjekësore përfshijnë:
Kremrat për përdorim në lëkurë. Disa kremra, duke përfshirë kortikosteroidet dhe frenuesit e kalcineurinës (kremrat anti-inflamator), mund të ndihmojnë në rikthimin e ngjyrës së njollave në fazat fillestare. Të tjerët ndihmojnë në ngadalësimin e zmadhimit të tyre.
Medikamente nga goja. Disa medikamente si steroidet mund të jenë efektive në trajtimin e vitiligos. Këto janë të disponueshme vetëm me recetë.
Terapia me dritë psoralen dhe ultravjollcë A (PUVA). Ky kombinim trajtimi kërkon që ju të merrni psoralen si pilulë ose ta aplikoni në lëkurën tuaj si krem. Më pas, mjeku juaj ju ekspozon ndaj dritës UVA për të aktivizuar barnat, të cilat ndihmojnë në rikthimin e ngjyrës në lëkurën tuaj. Më pas, do t’ju duhet të minimizoni ekspozimin në diell dhe të vishni syze dielli mbrojtëse.
Terapi me rreze ultraviolet B. Kjo është një alternativë ndaj terapisë tradicionale PUVA. Ky trajtim ofron një lloj më të fokusuar të terapisë me dritë, që shpesh sjell më pak efekte anësore. Mund të përdoret gjithashtu si pjesë e një programi trajtimi në shtëpi nën mbikëqyrjen e një mjeku.
Trajtimi me lazer. Ky trajtim ndihmon me zonat e vogla të njollave dhe zgjat më pak se 4 muaj, zakonisht dy deri në tre herë në javë.
Depigmentimi. Mjeku juaj mund të rekomandojë depigmentim nëse më shumë se 50% e trupit tuaj është e prekur. Kjo shpesh është një zgjidhje kur trajtimet e tjera për të kthyer pigmentin në lëkurën tuaj kanë dështuar. Depigmentimi fokusohet në zbehjen e pjesës tjetër të lëkurës për t’u përshtatur me zonat që kanë humbur ngjyrën. Ju do të aplikoni një medikament si monobenzone sipas udhëzimeve të mjekut. Megjithëse mund të duhen deri në 2 vjet për të qenë efektiv, ky trajtim zakonisht është i përhershëm. Megjithatë, përveçse shkakton inflamacion, ai mund të rrisë ndjeshmërinë tuaj ndaj dritës së diellit.
Trajtime kirurgjikale
Opsionet kirurgjikale janë të disponueshme kur mjekimet dhe terapia me dritë nuk funksionojnë. Mjeku juaj mund të rekomandojë opsione kirurgjikale nëse njollat tuaja të vitiligos janë të qëndrueshme dhe vitiligo juaj nuk është shkaktuar nga dëmtimi i diellit.
Llojet e operacioneve përfshijnë:
- Shartimi i lëkurës. Kirurgu juaj do të transferojë pjesë lëkure të shëndetshme dhe të pigmentuar në zonat e pa pigment. Rreziqet përfshijnë infeksione, shenja ose në disa raste dështim të procedurës. Shartimi i lëkurës duke përdorur flluska është një tjetër mundësi me më pak rreziqe. Ky opsion përfshin krijimin e flluskave në lëkurën e paprekur dhe transferimin e pjesës së sipërme të flluskës në një zonë tjetër.
- Transplantet e melanociteve. Gjatë kësaj procedure mjeku juaj heq një ekzemplar të indeve të shëndetshme, kultivon melanocitet dhe më pas transplanton qelizat në zona të depigmentuara.
- Mikropigmentimi. Mjeku juaj do të injektojë pigmentin në formë tatuazhi në lëkurën tuaj. Kjo teknikë funksionon më e mirë për zonën e buzëve. Megjithatë, mund të jetë e vështirë që pigmenti të përputhet plotësisht me ngjyrën e lëkurës tuaj.