Kujdes i Dedikuar

Shëndetësor

Staf i Kualifikuar

Ndërkombëtar

Teknologji bashkëkohore

Në Shqipëri

Rr. Ali Demi tek ish kombinati Poligrafik

Shkaqet E Infertilitetit Dhe Opsionet E Trajtimit

Tabela e kontentit

Foto qe ilustron konsulten me mjekun gjinekolog per infertilitetin.

Disa njerëz mbeten shtatzënë shpejt, por për të tjerë, mund të jetë më e vështirë. Infertiliteti është një sëmundje e zakonshme dhe shpesh herë e trajtueshme. Kjo mund të rezultojë nga një problem i juaji ose i partnerit tuaj, ose nga një kombinim faktorësh që parandalojnë shtatzaninë. Shkaqet e infertilitetit mund të përfshijnë çrregullimet e ovulacionit, endometriozën, numrin e ulët të spermës ose testosteronin e ulët. Rreziku i saj rritet me kalimin e moshës, por për fat të mirë, ka shumë terapi të sigurta dhe efektive që përmirësojnë ndjeshëm shanset për të mbetur shtatzënë.

Foto qe ilustron nje cift i cili po perballet me probleme me infertilitetin.

Çfarë është infertiliteti?

Për çiftet që shpresojnë të bëhen prindër, vështirësia në ngjizjen e një fëmije mund të jetë zhgënjyese dhe e lodhshme. Zakonisht ciftet që luftojnë me infertilitetin arrijnë të kenë fëmijë me anë të ndihmës mjekësore. Hapi më i rëndësishëm është kuptimi i shkaqeve të mundshme të infertilitetit në mënyrë që të fillohet trajtimi i duhur sa më shpejt.

Në përgjithësi, infertiliteti përkufizohet si pamundësia për të mbetur shtatzënë pas një viti ose më gjatë edhe pas tentativave të shumta. Individët dhe çiftet që nuk janë në gjendje të lindin fëmijë duhet të bëjnë një takim me një endokrinolog riprodhues – një mjek i specializuar në menaxhimin e infertilitetit. Këta specialist gjithashtu janë në gjendje të ndihmojnë gratë me abortet e përsëritura spontane. 

Çfarë e shkakton infertilitetin?

Infertiliteti mund të ndodhë për shumë arsye dhe disa herë nuk ka një shpjegim ekzakt. Thënë kështu, disa nga arsyet më të zakonshme janë:

  • Sëmundje që ndikojnë në ovulim ose në vezore.
  • Tubat fallopian të bllokuara ose të dëmtuara dhe problemet me mitrën.
  • Probleme që ndikojnë në testikuj, në cilësinë dhe në sasinë e spermës.
  • Çrregullime hormonale si sëmundjet e tiroideve, sindroma e vezores policistike ose nivele të ulëta të testosteronit.
  • Zvogëlimi i funksionit të vezoreve, numri ose cilësia e tyre.
  • Mbipesha ose obeziteti.
  • Shtimi ose humbja ekstreme e peshës.
  • Pirja e duhanit.
  • Konsumimi i alkolit.
Foto qe ilustron problemet me infertilitetin.

Çfarë e shkakton infertilitetin tek meshkujt?

Infertiliteti tek meshkujt mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, duke përfshirë probleme me funksionin e testikujve ose çrregullime hormonale dhe gjenetike. Zakonisht kjo vlerësohet nga një analizë e spermës. Specialisti do të studiojë vëllimin, numrin, lëvizjen dhe formën e saj në një mostër për të përcaktuar nëse ndonjë nga këto faktor mashkullor është problemi.

Çfarë e rrit rrezikun e infertilitetit tek një mashkull?

  • Çiftet në të cilët partneri mashkull është 40 vjeç e lart kanë më shumë gjasa të raportojnë vështirësi në ngjizje.
  • Të qenit mbipeshë ose të vuani nga obeziteti.
  • Përdorimi i tepërt i alkolit ose drogës.
  • Një histori dëmtimi në testikuj.
  • Ekspozimi ndaj testosteronit, rrezatimit, ilaçeve të caktuara ose toksinave.
  • Ekspozimi i shpeshtë i testikujve ndaj temperaturave të larta.
  • Çrregullimet hormonale të cilat shkaktohen nga funksioni jo i duhur i hipotalamusit ose i gjëndrave të hipofizës, të cilat ruajnë funksionin normal të testikujve.
  • Çrregullime gjenetike të tilla si sindroma Klinefelter, mikrodelecioni i kromozomit Y, distrofia miotonike etj.

Testet e infertilitetit për meshkujt

Pjelloria mashkullore kërkon që testikujt të prodhojnë mjaft spermë të shëndetshme dhe që sperma të kalojë në mënyrë efektive në vaginë dhe të udhëtojë drejt vezës. Testet për infertilitetin mashkullor përpiqen të përcaktojnë nëse ndonjë nga këto procese nuk po shkon sic duhet. Ju duhet të bëni një ekzaminim të përgjithshëm fizik, duke përfshirë një ekzaminim të organeve gjenitale për të gjetur ku qëndron problemi. Testet specifike të fertilitetit mund të përfshijnë:

  • Analizën e spermës. Mjeku juaj mund të kërkojë një ose më shumë ekzemplarë të spermës. Sperma përgjithësisht merret duke u masturbuar dhe duke ejakuluar në një enë të pastër. Për të marë rezultatet e duhura duhet ndërprerja e marrëdhënieve seksuale për 3 ditë.  Një laborator analizon ekzemplarin e spermës. Gjithashtu në disa raste, urina mund të duhet të testohet gjithashtu.
  • Testimin e hormoneve. Mund t’ju duhet të bëni një test gjaku për të përcaktuar nivelin tuaj të testosteronit dhe hormoneve të tjera mashkullore.
  • Testimi gjenetik. Testimi gjenetik mund të bëhet për të përcaktuar nëse ka një defekt gjenetik që shkakton infertilitet.
  • Biopsi testikulare. Në raste të caktuara, mund të kryhet një biopsi testikulare për të identifikuar anomalitë që kontribuojnë në infertilitet ose për të tërhequr spermën për teknikat riprodhuese të asistuara, siç është IVF.
  • Imazhe. Në situata të caktuara, mund të kryhen studime imazherike të tilla si MRI e trurit, ultratinguj transrektal ose skrotal.
  • Testime të tjera. Në raste të rralla, mund të kryhen teste të tjera për të vlerësuar cilësinë e spermës, të tilla si vlerësimi i një mostre të spermës për anomalitë e ADN-së.
Foto qe ilustron trajtimet per infertilitetin tek femrat.

Çfarë e shkakton infertilitetin tek femrat?

Gratë kanë nevojë për vezore funksionale, tuba fallopiane dhe një mitër të shëndetshme për të mbetur shtatzënë. Problemet që prekin cilindo nga këto organe mund të kontribuojnë në infertilitetin femëror. Më poshtë kemi renditur disa nga problemet e mundshme dhe si mund të zbulohen ato. 

Mosfunksionimi i vezoreve

Cikli menstrual i një gruaje është mesatarisht 28 ditë. Periodat e rregullta dhe të parashikueshme që ndodhin çdo 21 deri në 35 ditë nënkuptojnë se gruaja ka gjasa të kalojë në ovulim. Një grua me perioda të parregullta mund të mos kalojë në ovulacion. Ky problem mund të shkaktohet nga shkaqet e mëposhtme:

  • Sindroma e vezores policistike (PCOS). PCOS është një sëmundje që bën që gratë të mos ovulojnë ose të ovulojnë në mënyrë të parregullt. PCOS është shkaku më i zakonshëm i infertilitetit femëror.
  • Rezerva e ulët e vezoreve (AMH). Gratë lindin me të gjitha vezët që do të kenë gjatë jetës së tyre dhe numri i vezëve natyrshëm zvogëlohet me kalimin e kohës. AMH është gjendja në të cilën ka më pak vezë të mbetura në vezore se c’duhet.
  • Amenorrea funksionale hipotalamike (FHA). Gratë me FHA i kanë periodat e parregullta për shkak të ushtrimeve të tepërta, stresit, humbjes së peshës ose një kombinimi të këtyre faktorëve.
  • Funksionimi jo i duhur i hipotalamusit dhe gjëndrave të hipofizës. Këto gjëndra në tru prodhojnë hormone që ruajnë funksionin normal të vezoreve.
  • Insuficienca e parakohshme ovariane (POI). POI, nganjëherë referuar si menopauzë e parakohshme, ndodh kur vezoret e një gruaje ndalojnë së prodhuari vezë para se të mbushë 40 vjec.
  • Menopauza. Menopauza është një rënie e natyrshme e funksionit të vezoreve që zakonisht ndodh rreth moshës 50. 
  • Obstruksioni i tubit fallopian. Faktorët e rrezikut për bllokimin e tubave fallopiane mund të vijnë nga histori infeksioni të legenit, apendiksin e çarë, gonorre ose klamidia, endometriozë ose operacion abdominal.
  • Karakteristikat fizike të mitrës. Në varësi të simptomave të individit, mitra mund të vlerësohet me ultratinguj transvaginal për të parë për fibroide ose probleme të tjera, duke përfshirë ngjitjet intrauterine, polipet endometriale, adenomiozën dhe anomalitë kongjenitale të mitrës.
Foto qe ilustron shkaqet e problemeve me fertilitetin tek femrat.

Çfarë e rrit rrezikun e infertilitetit tek një femër?

  • Mosha. Rreth 1 në 5 (22%) çifte të martuara në të cilat gruaja është 30-39 vjeç kanë probleme me ngjizjen e fëmijës së tyre të parë krahasuar me rreth 1 në 8 (13%) çifte të martuara në të cilat gruaja është më e re se 30. Fertiliteti bie me moshën sepse cilësia e vezëve bie me kalimin e kohës. Përveç kësaj, gratë në moshë madhore kanë më pak vezë të mbetura dhe kanë më shumë gjasa të vuajn nga probleme shëndetësore të ndryshme që mund të shkaktojnë probleme të fertilitetit dhe rritjen e mundësisë për abort. 
  • Pirja e duhanit.
  • Konsumi i tepërt i alkoolit.
  • Shtim ose humbje ekstreme në peshë.
  • Stres i tepërt fizik ose emocional që rezulton në amenorre (humbjen e periodave).

Testet e infertilitetit për femrat

Fertiliteti tek gratë mbështetet në vezoret që lëshojnë vezë të shëndetshme. Trakti riprodhues duhet të lejojë që një vezë të kalojë në tubat fallopiane dhe të bashkohet me spermën për fekondim. Veza e fekonduar duhet të udhëtojë në mitër dhe të implantohet. Testet për infertilitetin femëror përpiqen të zbulojnë nëse ndonjë nga këto procese është i dëmtuar. 

Ju mund të bëni një ekzaminim të përgjithshëm fizik, duke përfshirë këtu edhe një ekzaminim të rregullt gjinekologjik. Testet specifike të fertilitetit mund të përfshijnë:

  • Testi i ovulacionit. Një test gjaku mat nivelet e hormoneve për të përcaktuar nëse jeni duke ovuluar ose jo.
  • Histerosalpingografia. Histerosalpingografia  është një ekzaminim radiologjik që vlerëson gjendjen e mitrës dhe tubave fallopiane dhe vëren për bllokime ose probleme të tjera të mundshme të tyre.
  • Testimi i rezervave të vezoreve. Ky test ndihmon në përcaktimin e sasisë së vezëve të disponueshme për ovulim. Kjo metodë testimi shpesh kryhet në fillim të ciklit menstrual.
  • Teste të tjera hormonale. Testet e tjera të hormoneve kontrollojnë nivelet e hormoneve ovuluese, si dhe hormonet e hipofizës që janë përgjegjëse për proceset riprodhuese.
  • Testet imazherike. Ekografi e legenit dallon për sëmundje të mitrës ose vezoreve. Ndonjëherë sonohisterograma, përdoret për të parë detaje brenda mitrës që nuk shihen në ultratingujt e rregullt.

Në varësi të situatës suaj, testimi juaj mund të përfshijë:

  • Histeroskopia. Në varësi të simptomave tuaja, mjeku juaj mund të kërkoj kryerjen e një histeroskopie për të parë nëse ka sëmundje të mitrës. Gjatë procedurës, mjeku juaj vendos një pajisje të hollë me dritë përmes qafës së mitrës për të parë për çdo anomali të mundshme.
  • Laparoskopia. Ky operacion minimal invaziv përfshin bërjen e një prerjeje të vogël nën kërthizë dhe futjen e një pajisjeje të hollë shikimi për të ekzaminuar tubat fallopiane, vezoret dhe mitrën. Laparoskopia mund të identifikojë endometriozën, bllokimet ose parregullsitë e tubave fallopiane dhe problemet me vezoret dhe mitrën.
Foto qe ilustron konsulten me mjekun specialist mbi infertilitetin.

Trajtimi i infertilitetit

Nëse keni probleme me fertilitetin, trajtimi që ju ofrohet do të varet nga shkaku i problemit dhe çfarë ofrohet nga spitali ose klinika. Ekzistojnë 3 lloje kryesore të trajtimit të fertilitetit:

  • Barnat
  • Procedurat kirurgjikale
  • Konceptim i asistuar – duke përfshirë inseminimin intrauterin (IUI) dhe fekondimin in vitro (IVF)

Barna

Ilaçet e zakonshme të fertilitetit përfshijnë:

  • Klomifeni – inkurajon ovulacionin tek gratë që nuk ovulojnë rregullisht ose nuk mund të ovulojnë fare.
  • Tamoxifen – një alternativë për klomifenin që mund të përdoret nëse keni probleme me ovulimin.
  • Metformina – është veçanërisht e dobishme për gratë që kanë sindromën e vezores policistike (PCOS)
  • Gonadotropinat – mund të ndihmojnë në stimulimin e ovulacionit tek femrat, dhe gjithashtu mund të përmirësojnë fertilitetin tek meshkujt.
  • Hormoni çlirues i gonadotropinës dhe agonistët e dopaminës – lloje të tjera ilaçesh të përshkruara për të inkurajuar ovulimin tek gratë.

Procedurat kirurgjikale

Ekzistojnë disa lloje të procedurave kirurgjikale që mund të përdoren për të zbuluar problemet e fertilitetit dhe për të ndihmuar me zgjidhjen e tyre.

Kirurgjia e tubit fallopian

Nëse tubat tuaja fallopiane janë bllokuar ose dëmtuar, mund t’ju duhet kirurgji për t’i riparuar ato. Suksesi i këtij operacioni do të varet nga shkalla e dëmtimit të tubave fallopiane. Një nga 

komplikimet e mundshme nga ky operacioni përfshin mundësinë e një shtatzënie ektopike, e cila është kur veza e fekonduar implantohet jashtë mitrës.

Endometrioza, fibroidet dhe PCOS

Endometrioza ndodh kur indet, të ngjashme me mukozën e mitrës, rriten në vende të tjera jashtë mitrës. Kirurgjia laparoskopike shpesh përdoret për të trajtuar endometriozën duke shkatërruar ose hequr qeset e mbushura me lëng të quajtur ciste. Mund të përdoret gjithashtu për të hequr fibroidet submukozale, të cilat janë rritje të vogla në mitër. Nëse vuani nga sindroma e vezores policistike (PCOS), një procedurë e vogël kirurgjikale e quajtur shpimi laparoskopik i vezoreve mund të jetë e nevojshme nëse ilaçet e ovulacionit nuk kanë funksionuar sic duhet. Kjo procedurë përfshin përdorimin e nxehtësisë ose lazerit për të shkatërruar një pjesë të vezores.

Foto qe ilustron trajtimin per infertilitetin.

Riprodhimi i asistuar

IVF

Fekondimi in vitro (IVF): Fekondimi in vitro (IVF), është kur veza fekondohet jashtë trupit. Si fillim ilaçiet e fertilitetit merren për të inkurajuar vezoret të prodhojnë më shumë vezë se zakonisht. Më pas vezët hiqen nga vezoret dhe fekondohen me spermë në një laborator. Një vezë e fekonduar (embrion) më pas kthehet në mitër për t’u rritur dhe zhvilluar.

Dhurimi i vezëve dhe spermës

Nëse ju ose partneri juaj keni probleme me infertilitetin, mund të jeni në gjendje të lindi një fëmijë duke përdorur vezë dhe spermë dhuruese. Me dhurimin e vezëve, vezët e një gruaje tjetër fekondohen me spermë dhe transferohen në mitrën e gruas infertile, e cila më pas do të mbes shtatzën. Kjo është e mundur vetëm me procedurat e fekondimit in vitro (IVF).

Keni të njëjtat shqetësime?

Kontaktoni Spitalin CONTINENTAL në një nga format e kontaktit

Tabela e kontentit

Shperndaj:

Poste te tjera

NA KONTAKTONI

Kontakto

Telefononi ne numrat tane te kontaktit +355 69 700 4000  / +355 69 700 1000 ose plotesoni formen dhe merrni pergjigje profesionale ne nje kohe te shkurter

Duke shtypur butonin "Dergo" une pranoj qe nje nga specialistet e Spital Kontanental do te me kontaktoj ne nje nga format e kontaktit te lena nga une ne lidhje me problematiken e kerkuar.

Kontakto

Duke shtypur butonin "Dergo" une pranoj qe nje nga specialistet e Spital Kontanental do te me kontaktoj ne nje nga format e kontaktit te lena nga une ne lidhje me problematiken e kerkuar.