Sifilizi është një infeksion bakterial që përhapet nga kontakti seksual. Sëmundja fillon me shfaqjen e një plage e cila nuk shkakton dhimbje – zakonisht ajo shfaqet në organet gjenitale, rektum ose në gojë. Sifilizi përhapet midis njerëzve nëpërmjet kontaktit të lëkurës ose mukozës me plagët. Pas infeksionit fillestar, bakteret mund të mbeten joaktive në trup për shumë kohë përpara se të aktivizohen sërish. Sifilizi i hershëm mund të shërohet, me anë të injektimit të penicilinës. Në qoftë se nuk trajtohet, ai mund të shkaktoj probleme serioze shëndetësore të përhershme në zemër, tru, muskuj, kocka dhe sy. Për të reduktuar rrezikun e infektimit, përdorni gjithmonë masa mbrojtëse gjatë marrëdhënieve seksuale. Sifilizi gjithashtu mund të transmetohet nga nëna tek fëmijët gjatë shtatzanisë.
Çfarë është sifilizi?
Sifilizi është një infeksion seksualisht i transmetueshëm (IST) që përhapet gjatë marrëdhënieve vaginale, anale ose orale me dikë që mbart infeksionin. Ai shkaktohet nga një bakter i quajtur Treponema pallidum. Sflilizi mund të trajtohet me anë të antibiotikëve por në qoftë se lihet i patrajtuar mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, duke përfshirë verbërinë, dëmtimin e trurit, zemrës, syve dhe sistemit nervor. Ky infeksion zhvillohet në 4 faza (primar, sekondar, latent dhe terciar). Çdo fazë ka shenja dhe simptoma të ndryshme nga njëra tjetra.
Shkaqet më të zakonshme
Sic thamë dhe më sipër sifilizi shkaktohet nga bakteri Treponema pallidum dhe mund të merret përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me plagën e krijuar në trupin e dikujt tjetër me anë të marrëdhënieve sekuale ose nga nëna tek fëmija. Në raste të ralla bakteret gjithashtu mund të hyjnë në trupin tuaj përmes prerjeve në lëkurë ose përmes puthjeve.
Sifilizi nuk përhapet me përdorimin e tualetit, vaskës, veshjeve ose enëve të ushqimit të njëjta, ose nga dorezat e dyerve, pishinat ose vaskat e ujit. Pasi të shërohet, ky infeksion nuk kthehet më. Megjithatë, simptomat mund të kthehen përsëri nëse do të keni kontakt me dikë të infektuar.
Kontakti seksual
Transmetimi seksual i infeksionit të sifilizit ndodh kur lëkura ose indi i mukozës bie në kontakt me një plagë të hapur. Forma e baktereve lejon që ato të futen në mukozën e gojës, vaginës ose rektumit ose të depërtojnë në çarjet mikroskopike në lëkurë.
Tek të rriturit dhe të rinjtë seksualisht aktivë, sifilizi transmetohet përmes seksit oral, vaginal ose anal. Infeksioni gjithashtu mund të kalojë nga një person tek tjetri përmes puthjes nëse njëri partner ka një plagë në gojë, megjithëse kjo formë e transmetimit nuk është shumë e zakonshme.
Nga nëna tek fëmija
Transmetimi perinatal i sifilizit, i njohur gjithashtu si sifilizi kongjenital, ndodh kur bakteri i sifilizit në një nënë shtatzënë depërton në placentën që rrethon fetusin gjatë zhvillimit. Ndërsa kjo mund të ndodhë gjatë çdo faze të shtatzënisë, gjasat janë më të larta që të ndodh gjatë gjysmës së dytë të saj. Rreziku i transmetimit ndryshon sipas fazës së infektimit të nënës.
Faktorët e rrezikut të sifilizit
Ndërsa sifilizi mund të prekë këdo, ka një sërë faktorësh rreziku që mund të rrisin gjasat e infektimit. Ndër faktorët më të zakonshëm të rrezikut janë:
- Mos përdorimi i prezervativit: Ky është shkaku kryesor i transmetimit të të gjitha sëmundjeve seksualisht të transmetushme duke përfshirë këtu sfilizin.
- Partnerë të ndryshëm seksual: Kjo ju vë në rrezik për shkak të rritjes së ekspozimit ndaj infeksioneve.
- Përdorimi i drogës me injektim ka shkaktuar një sërë shpërthimesh të IST-ve. Megjithëse sifilizi transmetohet rrallë nga ekspozimi gjak me gjak, përdorimi i drogës me injeksion mund të rrisë rrezikun e dhunës seksuale ose shkëmbimit të seksit me drogë.
Simptomat
Sifilizi zhvillohet në faza dhe simptomat ndryshojnë në çdo fazë të infeksionit. Megjithatë, simptomat nuk ndodhin gjithmonë në të njëjtin rend dhe mund të ndryshojnë nga personi në person. Në disa raste ju mund të jeni të infektuar me sifiliz pa vërejtur asnjë simptomë për vite me radhë.
Sifilizi primar
Shenja e parë e sifilizit është një plagë e vogël. Plaga shfaqet në zonën ku bakteret kanë hyrë në trupin tuaj. Ndërsa shumica e njerëzve të infektuar me sifiliz zhvillojnë vetëm një plagë, disa të tjerë mund të zhvillojnë disa prej tyre.
Plaga zakonisht fillon të zhvillohet rreth tre javë pas ekspozimit. Shumë njerëz që kanë sifiliz nuk e vënë re plagën sepse zakonisht nuk shkakton dhimbje dhe mund të jetë e fshehur brenda zonës së vaginës ose rektumit. Plaga do të rikuperohet vetë brenda një muaji.
Sifilizi sekondar
Brenda disa javësh nga shërimi i plagës, pas mbarimit të fazës primare ju mund të përjetoni skuqje të lëkurës dhe shenja të kuqe në të gjithë trupin madje edhe në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve. Kjo skuqje zakonisht nuk shkakton kruarje dhe mund të shoqërohet me plagë në gojë ose në zonën gjenitale. Disa njerëz mund të përjetojnë gjithashtu humbje flokësh, dhimbje muskujsh, ethe, dhimbje të fytit dhe ënjtje të nyjeve limfatike. Këto shenja dhe simptoma mund të zhduken brenda disa javësh ose në mënyrë të përsëritur të vijnë dhe të ikin gjatë një viti të plotë.
Sifilizi latent
Nëse nuk trajtoheni për sifilizin, sëmundja kalon nga faza dytësore në fazën e fshehur (latente), kur nuk keni simptoma. Faza latente mund të zgjasë me vite. Shenjat dhe simptomat mund të mos kthehen kurrë, ose sëmundja mund të përparojë në fazën e tretë (terciare).
Sifilizi terciar
Rreth 15% deri në 30% e njerëzve të infektuar me sifiliz që nuk do të marrin trajtimin e duhur do të kalojnë në fazën e fundit të njohu si sifilizi terciar. Në këtë fazë të fundit, sëmundja mund të dëmtojë trurin, nervat, sytë, zemrën, enët e gjakut, mëlçinë, kockat dhe nyjet. Këto probleme mund të ndodhin shumë vite pas marrjes së infeksionit në qoftë se lihet pa trajtuar.
A mund të shkaktojë sifilizi probleme gjatë shtatzënisë?
Po. Nëse individi ka sifiliz dhe nuk mer trajtimin e duhur,infeksioni mund t’i kalojë fëmijës. 40% e foshnjave të lindura nga njerëzit me sifiliz të patrajtuar vdesin nga ky infeksion. Përhapja e infeksionit tek fetusi gjatë shtatzanisë është shumë e zakonshme. Por, mund të ndodhë edhe gjatë lindjes nëse fëmija do të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me një plagë sifilizi në vaginë. Nëse një foshnjë lind me sifiliz, kjo quhet sifilis kongjenital.
Sifilizi kongjenital
Foshnjat e lindura nga gratë që kanë sifiliz mund të infektohen përmes placentës ose gjatë lindjes. Shumica e të porsalindurve me sifilis kongjenital nuk kanë simptoma, megjithëse disa përjetojnë skuqje në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve. Shenjat dhe simptomat e mëvonshme mund të përfshijnë shurdhimin, deformimet e dhëmbëve dhe të hundës. Megjithatë, foshnjat e lindura me sifiliz mund të përjetojnë lindje të parakohëshme ose mund të vdesin në mitër para lindjes ose pas saj.
Këto komplikime të mundshme janë arsyeja pse ndjekja e vizitave tuaja para lindjes dhe testimi për IST janë kaq të rëndësishme. Trajtimi para javës së 26-të të shtatzanisë është i nevojshëm për të parandaluar këto pasoja fatale.
Sifilizi gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë:
- Abortin spontan.
- Lindjen e parakohshme.
- Peshën e ulët të fëmijës.
- Probleme me kordonin e kërthizës.
- Vdekjen para lindjes.
- Vdekja gjatë 28 ditëve të para të jetës. Kjo ndodh vetëm nëse nuk merrni trajtimin e duhur për sifilizin.
Cilat janë ndërlikimet shëndetësore që shkakton sifilizi?
Nëse nuk merrni trajtimin e duhur dhe sifilizi vazhdon tw përparoj në fazën e fundit të tij, atëher ju do të jeni në rrezik serioz për jetën. Gjendja e trupit tuaj do të përkeqësohet sa më gjatë që sifilizi të jetë prezent. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që të merrni trajtimin e menjëhershëm. Sifilizi i patrajtuar mund të shkaktojë verbëri, paralizë dhe të çojë në probleme me zemrën, trurin, palcën kurrizore dhe organet e tjera.
Çdo rast i sifilizit – shenjat, simptomat dhe komplikimet e mundshme afatgjata – është unik. Sifilizi mund të dëmtojë çdo lloj indi dhe çdo organ brenda trupit tuaj, kështu që lista e komplikimeve të mundshme të shkaktuara nga ky infekion është shumë e gjatë. Kjo listë përfshin sëmundje të rënda fizike dhe mendore. Gjatë fazave të hershme të infeksionit, organizmi pushton qarkullimin e gjakut dhe sistemin limfatik.
Ky mikroorganizëm delikat në formë spirale mund të përshkojë lehtësisht çdo cep të trupit tuaj. Ai mund të depërtoj në zemër, në kocka dhe në traktin tretës. Gjithashtu mund të ndikojë në dëgjim, shikim dhe në të gjitha organet kryesore të trupit tuaj. Mund të pushtojë mëlçinë, lëkurën. Ky infeksion shkon kudo në trup. Kur bakteri infekton sistemin nervor qendror – trurin dhe palcën kurrizore – quhet neurosifiliz. Dihet se, neurosifilizi është një nga format më të frikshme të sifilizit e cila mund të shkaktojë probleme mendore, verbëri, paralizë ose vdekje.
Në cilat pjesë të trupit shfaqet sifilizi?
Sifilizi prek të gjithë pjesët e trupit. Megjithatë, shenja e parë e sifilizit është një plagë e ngjashme me ulçerën. Ajo zhvillohet kur bakteret vijnë në kontakt me lëkurën tuaj gjatë marrëdhënieve seksuale. Zonat e mëposhtme janë ato ku ka më shumë gjasa të krijohen plagët:
Tek gratë
- Në zonën e valvulës.
- Rreth zonës së vaginës.
- Rreth zonës së anusit ose brenda rektumit.
- Në buzë ose në gojë.
Tek burrat
- Në zonën e penisit ose skrotumit.
- Nën lëkurën e penisit.
- Rreth zonës së anusit ose brenda rektumit.
- Në buzë ose në gojë.
Diagnoza dhe analizat e sifilizit
Mjeku juaj do të duhet të bëjë një ekzaminim fizik për të diagnostikuar nëse infeksioni është prezent ose jo. Ata mund të bëjnë disa teste duke përfshirë këtu:
- Analizat e gjakut. Një test i shpejtë i gjakut në zyrën e mjekut ose në një klinikë të shëndetit publik mund të diagnostikojë sifilizin.
- Analiza e lëngut cerebrospinal. Nëse mjeku mendon se mund të keni neurosifilis, ai do të testojë lëngun e marrë nga palca kurrizore.
- Mikroskopi në fushë të errët. Bakteret e sifilisit janë të dukshme përmes një mikroskopi në lëngun e marrë nga një plagë e krijuar e lëkurës ose nga nyja limfatike.
Trajtimi i sifilizit
Një injeksion i vetëm i penicilinës mund të kurojë fazat e hershme të sifilizit. Këtu përfshihet sifilizi primar, sekondar ose latent i hershëm. Rekomandohen tre doza të peniciline në intervale javore për sifilizin latent të vonë ose sifilizin latent me kohëzgjatje të panjohur. Trajtimi do të kurojë infeksionin dhe do të parandalojë dëmtimin e mëtejshëm, por nuk do të riparojë problemet e shkaktuara nga infeksioni.
Zgjedhja e preparatit të duhur të penicilinës është e rëndësishme për trajtimin dhe kurimin e duhur. Njerëzit që trajtohen për sifiliz duhet të shmangin kontaktin seksual me partnerë të rinj derisa plagët e tyre të shërohen plotësisht. Ata gjithashtu duhet të njoftojnë partnerin/partnerët e tyre seksualë, në mënyrë që dhe ata të mund të marrin testimin dhe trajtimin e duhur nëse do të jetë e nevojshme.
Mjekimi
Kur diagnostikohet dhe trajtohet në fazat e hershme, sifilizi është i lehtë për t’u kuruar. Sic thamë më sipër trajtimi më i preferuar në të gjitha fazat e infeksionit është injektimi i penicilinës, një antibiotik i cili mund të vrasë organizmin që shkakton sifilizin. Nëse jeni alergjik ndaj penicilinës, mjeku juaj mund të sugjerojë një antibiotik tjetër.
Trajtimi i rekomanduar për sifilizin latent primar, sekondar ose në fazën e hershme – që i referohet një infeksioni brenda vitit të fundit – është një injeksion i vetëm i penicilinës. Nëse keni pasur sifiliz për më shumë se një vit, mund t’ju nevojiten doza shtesë. Gjithashtu penicilina është i vetmi trajtim i rekomanduar për gratë shtatzëna me sifilis dhe nëse janë alergjike ndaj penicilinës mund t’i nënshtrohen një procesi desensibilizimi në mënyrë që të mund të marin trajtimin e duhur.
Dita e parë e marrjes së trajtimit, mund të shkaktoj ethe, të dridhura, të përziera dhe dhimbje koke. Këto reaksione zakonisht nuk zgjasin më shumë se një ditë.
Pas trajtimit
Pasi të trajtoheni për sifilizin, mjeku juaj do t’ju kërkojë të:
- Bëni analiza dhe ekzaminime periodike të gjakut për t’u siguruar që trupi juaj po i përgjigjet dozës së penicilinës.
- Shmangni kontaktin seksual me partnerë të rinj derisa të përfundoni trajtimi dhe analizat e gjakut të tregojnë se infeksioni është shëruar.
- Njoftoni partnerët tuaj seksual në mënyrë që ata të mund të testohen dhe të marrin trajtim nëse është e nevojshme.
- Të testoheni për infeksion HIV.